Presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala, sot vizituan stadiumin e qytetit në Prishtinë, për të parë nga afër punimet që po bëhen në këtë stadium. Në stadium po punohet me një intensitet të lartë në mënyrë që të përgatitet sa më parë që është e mundur për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Gjatë vizitës së presidentit Vokrri dhe ministrit Shala të cilët vizituan pikat kyçe të punimeve, nga punëkryerësi u njoftuan se tashmë është bërë një punë e madhe dhe po punohet pa ndalë. Janë kryer shumica e punëve por ka edhe disa që në vazhdim duhet të kryhen dhe ne besojmë se me një mbështetje të Ministrisë dhe FFK-së do të japim maksimumin që stadiumi të bëhet i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare. Ndërkaq, sikur presidenti i FFK-së z. Fadil Vokrrii ashtu edhe ministri Shala premtuan mbështetje, por edhe i kërkuan punëkryerësit një angazhim edhe më të madh në mënyrë që stadiumi të përgatitet sa më parë. Ditë më parë është vizituar edhe stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe atje punimet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë në mënyrë që edhe ky stadium të jetë i gatshëm për ndeshjet e klubeve, që do të fitojnë të drejtën e garimit në arenën ndërkombëtare.