14 maj, 2023 – KFF Presingu nga Vitia është kampion i Ligës së Parë të femrave. Skuadra nga Vitia në ndeshjen e fundit të këtij edicioni që edhe e përcaktonte skuadrën kampione, e mposhti Vizionin nga Ferizaj, me rezultat 2:1. Të dyja ekipet para kësaj ndeshje kishin arkëtuar nga 31 pikë. Megjithatë, në ndeshjen e zhvilluar në Sadovinë, futbollistet e Presingut shfaqën performancë më të mirë dhe morën fitoren, duke festuar kësisoj titullin e kampionit. Ky sukses njëherësh ia mundësoi kësaj skuadre edhe inkuadrimin në Sigal Superligë për edicionin e ardhshëm, derisa Vizionit i mbetet të luajë në ndeshjen e barazhit për të synuar ngjitjen në Superligë. Trofeun për skuadrën e Presingut e ndau Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, derisa medaljet për kampionet i ndau menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka.