prishtina-hajvaliaFutbollistët e Prishtinës kanë barazuar sërish në shtëpi. Këtë herë skuadra e drejtuar nga trajneri i ri Suad Keçi, nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në duel me Hajvalinë, skuadër kjo që drejtohet nga Synaj Keçi. Sfida e javës së 23-të në Raiffeisen Superligë, e zhvilluar në kryeqytet në praninë e një numri të vogël të tifozëve u mbyll 1:1.
Të dyja palët paraqitën një lojë shumë të hapur dhe me aksione të rrjedhshme. Të parët në epërsi kaluan prishtinasit në minutën e 14-të, kur Liridon Leci harkoi në zonë deri te Kastriot Rexha, i cili me të parën e shërbeu Liridon Latifin, i cili nga një pozitë e volitshme nuk e fali portierin Maloku, duke i zhbllokuar shifrat, 1:0.
rishtina e pati një tjetër mundësi tejet të mirë shënimi në minutën e 34-t, kur gjuajtja e Argjend Malajt pas harkimit të Thaçit, goditi shtyllën pingule. Në anën tjetër mysafirët patën mundësi disa raste të mira shënimi, ndër të cilat veçojmë ato të minutës së 30-të dhe 44-t. Në rastin e parë Zabërgja asistoi mjaft mirë për Nikollë Dushin, por ky nga 10-11 metra gjuajti pak mbi tërthorëse. Ndërkaq, në rastin tjetër ishte Zabërgja, i cili gjuajti mjaft mirë nga brendësia e zonës, por topi shkoi jashtë kuadratit të portës.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës ishte pak më i dobët, por sërish të dyja skuadrat patën disa mundësi shënimi. Mysafirët barazuan qysh në minutën e 47-të kur Nikollë Dushi shënoi nga brendësia e zonës. Ndërkaq, momenti kyç i ndeshjes ishte në minutën e 70-të, kur Kukaj e ndali brenda zonë Guraziun, por gjyqtari Idriz Kelmendi heshti. Mos akordimi i penalltisë shkaktoi reagim të ashpër nga bankina dhe lojtarët e Hajvalisë. Pas këtij barazimi Prishtina përfundimisht i humb gjasat për titull, derisa Hajvalia mbetet ende në luftën për mbijetesë.
Ndërkohë pikët maksimale i ka arkëtuar edhe Drita, e cila mundi Fushë Kosovën me rezultat 3-0. Në një ndeshje dominuese nga skuadra e Arbnor Morinës, gjilanasit pas vetëm 20 minutave lojë me anë të sulmuesit Ismet Ramushit kaluan në avantazh prej 1-0, rezultat më të cilën u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë gjilanasit kanë vazhduar më lojë të mirë, duke shënuar edhe golin e dytë sërish përmes Ramushit në minutën e 65-të. Mysafirët në minutën e 75-të patën mundësi të ngushtojnë epërsinë e nikoqirëve, por Burim Shala dështoi nga pika e bardhë, kurse Ramushi në minutën e 90+3 kompletoi hat-trickun e tij për rezultatin 3-0.
Drita më këtë fitore mund të jetë më e qetë në garën për ekzistencë në Superligë, derisa “anija” e Fushë Kosovës pas kësaj humbje fundoset edhe më thellë.
Ndërkaq, Besa e Pejës dhe Feronikelit ndanë pikët duke luajtur baras 1-1, në “Shahin Haxhislami” të Pejës.
Në një ndeshje mesatare pejanët dhe skuadra nga Drenasi morën nga një pikë të rëndësishme, sidomos për ekipin e Ramiz Krasniqit. Ishte Egzon Gashi, i cili në minutën e 60-të më një eurogol kaloi Besën në epërsi, kurse rezervisti Demaku në minutën e 89-të shënoi gol duke ia siguruar një pikë Feronikelit.