10 mars, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 24-t në Superligë. Prishtina ka shënuar fitore të lehtë në duel me skuadrën e fundit në renditje, Besën, me rezultat bindës 5:1. Kjo fitore ia ka mundësuar Prishtinës që së paku 24 orë të qëndrojë në pozitën e parë, me 50 pikë, aq sa i ka edhe Drita në vendin e dytë, por që ndeshjen e kësaj xhiroje e luan nesër kundër Gjilanit, njëjtë sikurse edhe Ballkani që luan me Arbërinë. Golat në fitoren e Prishtinës i shënuan Leonit Abazi, Endrit Krasniqi, Leotrim Kryeziu, Gauthier Mankenda dhe Albin Prapashtica, derisa golin e nderit për Besën e realizoi Donart Sheqerolli. Ndeshja mjaft interesante dhe me shumë gola u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku Llapi barazoi me Drenicën, 3:3. Llapjanët kaluan të parët në epërsi me golin e Arbnor Ramadanit nga distanca, në minutën e 24-t. Kuqezinjtë e Skenderajt barazuan në fund të pjesës së parë me golin e Eglentin Gjonit, derisa në pjesën e dytë arritën të përmbysin rezultatin me golat e Kreshnik Ukës (55’) dhe Dionis Cikanit (75’). Mirëpo, llapjanët nuk u dorëzuan as pas disavantazhit prej dy golave dhe arritën që në fund të barazojnë shifrat me golat e Engjëll Hotit (82’) dhe Ahmed Januzit (88’). E fitues nuk kishte as në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku Trepça’89 dhe Feronikeli barazuan pa gola (0:0).