19 shtator, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e radhës të javës së parë në Superligë. Prishtina dhe Ballkani kanë realizuar fitore bindëse. Bardhekaltrit e kryeqytetit në stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë mundur Drenicën, me shifrat 3:0, me golat e shënuar nga Leotrim Bekteshi (31’), Endrit Krasniqi (46’) dhe Oto John (74’). Nismë të mbarë të edicionit pati edhe Ballkani, që si mysafir triumfoi ndaj skuadrës së rikthyer në elitë, Besës, me rezultat 4:1. Realizator i trefishtë për skuadrën nga Suhareka ishte Mirlind Daku, derisa me një gol kontribuoi Ermal Krasniqi. Ndërkohë, golin e nderit për ekipin pejanë e realizoi Salihu (90’). Nesër, zhvillohet ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Gjilanit, që nis në orën 13:30, derisa dueli ndërmjet Dritës dhe Llapit është shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së skuadrës gjilanase në garat e Ligës së Evropës.