Prishtina-Drita është finalja e Digitalb Kupës së Kosovës për këtë edicion. Në ndeshjet e kthimit që u zhvilluan sot Prishtina arriti ta mbrojë epërsinë nga ndeshja e parë në kryeqytet (3:0), duke barazuar në ndeshjen e kthimit në Merdar kundër Llapit, me shifrat 1:1. Të parët në epërsi kaluan llapjanët me golin e Egzon Sinanit, kurse shifrat i barazoi Kreshnik Lushtaku. Do theksuar se llapjanët para golit të epërsisë nuk e realizuan një penallti, pasi gjuajtja e Enis Zabërgjës qëlloi tërthorësen. Ndërkohë, Drita ka arritur të kualifikohet në finale pas vazhdimeve, duke e mposhtur Trepçën’89, me rezultat 3:0, në stadiumin e qytetit në Gjilan në praninë e një numri të konsiderueshëm të shikuesve. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:0 për Dritën, rezultat ky që e çoi ndeshjen në vazhdime, pasi me të njëjtin rezultat kishte fituar edhe Trepça’89 në ndeshjen e parë. Golin e parë për gjilanasit e realizoi Shqiprim Kelmendi nga penalltia në minutën e 27-të, derisa kualifikimin Dritës ia siguruan Xhevdet Shabani, me golin e shënuar në minutën e 94-t dhe Almedin Murati, në minutën e 119-të. Kësisoj, Prishtina dhe Drita do të luftojnë në finale për trofeun e Digitalb Kupës së Kosovës, që njëherësh siguron edhe pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Evropës.