Skuadra e Prishtinës ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Fushë Kosovën, në kuadër të javës së 27-të në Raiffeisen Superligë, me rezultat 3:2. Të dyja palët zhvilluan një lojë të hapur dhe mjaft interesante. Të parët në epërsi kaluan prishtinasit në minutën e 32-të, me autogolin e Leutrim Beqirit, ndonëse paraprakisht Premton Muja i mysafirëve (28’) e qëlloi shtyllën. Ndërkohë, pjesa e dytë ishte më dinamike dhe u shënuan tre gola. Fushë Kosova barazoi në minutën e 63-të nëpërmjet Genc Sermaxhajt nga pika e bardhë, pasi Driton Krasniqi e rrëzoi në zonë Mavriqin. Epërsinë e Prishtinës e riktheu Adnan Haxhaj në minutën e 74-t. Mysafirëve ia mohoi golin tërthorësja pas gjuajtjes së Alban Mavriqit në minutën e 83-të, por tre minuta më vonë arritën t’i barazojnë shifrat sërish në minutën e 86-të, kur Genc Sermaxhaj u tregua edhe një herë i saktë nga pika e bardhë, pasi paraprakisht Haxhaj luajti me dorë në zonë. Mirëpo, gëzimi i fushëkosovarëve zgjati shumë pak, pasi 60 sekonda më vonë Shkëmbim Salihu shënoi golin e fitores me gjuajtje me kokë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Drenica shënoi fitore bindëse kundër Dritës, me rezultat 3:0. Kuqezinjtë gjatë gjithë ndeshjes janë treguar ekip më i mirë se gjilanasit, kurse për fitoren e drenicasve u përkujdesen Qemail Elshani, i cili shënoi dygolësh në minutën e 25-të dhe 82-të, derisa një gol e shënoi Granit Arifi në minutën e 46-të. Drenica më këtë fitore ngjitët në pozitën e tretë më 42 pikë, kurse Drita renditët në vendin e shtatë më 37 pikë.
Raiffeisen SUPERLIGA, Java e 27:
Prishtina-Fushë Kosova 3-2,
Drenica-Drita……………..
Liga e Parë, Java e 24:
Istogu-Ramiz Sadiku 3-0,
Ballkani-2.Korriku
Rilindja-Ulpiana
Kosova (p)-KEK-u 3-1.