2 prill, 2022 – Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të javës së 27-të në BKT Superligë. Prishtina ka shënuar fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me Llapin, me rezultat 2:1, në një ndeshje që në fund ishte dramatike. Të tre golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në pjesën e dytë. Prishtina kaloi në epërsi me golin e Besnik Krasniqit nga penalltia, në minutën e 47-të. Epërsinë e shtoi Endrit Krasniqi pas një aksioni të shkëlqyeshëm me Sadam Sulley, në minutën e 65-të. Megjithatë, llapjanët u këndellën në minutat e fundit, kur Drilon Fazliu realizoi pas asistimit të Kastriot Selmanit, në minutën e 78-të. Në minutat shtesë llapjanët ishin shumë afër të barazojnë shifrat, por gjuajtja e Valmir Veliut qëlloi traversën e portës prishtinase. Në ndeshjen tjetër, Drita shënoi fitore në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan në duel me Ulpianën, me shifrat 3:2. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit, me golin e Muharrem Jasharit (5’). Ulpiana barazoi nëpërmjet Ermir Rezit, në minutën e 20-të, por vetëm pesë minuta më vonë Marko Simonovski e riktheu epërsinë e Dritës. Pak para përfundimit të pjesës së parë vendasit arritën të barazojnë sërish, kur Akil Makolli (43’) shënoi për 2:2. Megjithatë, në pjesën e dytë Marko Simonovski e shënoi golin e tij të dytë dhe të fitores për Dritën, në minutën e 59-të.