20 korrik, 2021 – Skuadra kampione e Kosovës, FC Prishtina, ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër kampionit të Uellsit, Connah’s Nomads, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës. Ndeshja e zhvilluar të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e tifozëve është mbyllur me shifrat 4:1, në të mirë të bardhekaltërve të kryeqytetit. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në rrethin e tretë të kësaj gare, por një gjë të tillë i mbetet ta konfirmojë në ndeshjen e kthimit që zhvillohet javën e ardhshme. Prishtina e dominoi plotësisht lojën, por arriti t’i zhbllokojë shifrat vetëm në minutën e 41-të, me golin e Leotrim Bekteshit me gjuajtje me kokë. Epërsinë në 2:0 e shtoi Otto John në minutën e 53-të. Më pas mysafirët e ngushtuan epërsinë në minutën e 75-të, me golin e Tom Moore, por vetëm pak minuta më pas Endrit Krasniqi shënoi për 3:1, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Otto John, me golin e tij të dytë në minutën e fundit të ndeshjes.