15 maj, 2022 – Drita e ka fituar derbin e javës së 35-të në BKT Superligë, teksa e ka mundur Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Marko Simonovski në fund të ndeshjes. Pas kësaj fitoreje Drita mbetet në pozitën e tretë, me 61 pikë, derisa kjo humbje Prishtinën e mban nën ethet e barazhit, pasi aktualisht renditet në pozitën e gjashtë, me 48 pikë, vetëm një më shumë se Drenica e Malisheva. Në javën e fundit, Prishtina do të jetë mysafire e Llapit. Fitore si mysafire dhe shumë të vlefshme ka realizuar Malisheva në duel me Gjilanin, me rezultat 4:3. Ky triumf e mban këtë skuadër me shpresa për t’i ikur barazhit, pasi ndeshjen e fundit e luan para tifozëve të vet ndaj Dukagjinit. Nga dy gola te skuadra e drejtuar nga Arsim Thaçi i realizuan Ronald Sobowale dhe Albin Berisha, derisa te Gjilani dy gola i realizoi Gerhard Progni dhe një gol Blerim Krasniqi. Ndërkohë, Altin Merlaku ka shënuar “hat-trick”, duke e ndihmuar skuadrën e tij Dukagjinin të shënojë fitore të rëndësishme kundër Llapit, në Klinë me rezultatin 3:2. Për Llapin shënuan Dardan Jashari dhe Valmir Veliu. Fitore të rëndësishme në garën për t’iu shmangur barazhit ka realizuar edhe Drenica, e cila në stadiumin “Bajram Aliu” e ka mundur kampionin e ri, Ballkanin, me rezultat 3:1. Mysafirët shënuan të parët përmes Lumbardh Dellovës, por më pas kuqezinjtë e përmbysën rezultatin me golat e Armend Abazit, Genc Hamitit dhe Kreshnik Ukës.