10 prill, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 28-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina shënoi fitore në duelin tejet interesant kundër Malishevës, i cili u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat 3:2. Golat për Prishtinën i realizuan Gauthier Mankenda (57’), Leotrim Kryeziu (68’) dhe Oto John (89’), derisa për Malishevën realizuan Mërgim Pefqeli (45’), Dreni Kryeziu (76’). Me këtë fitore, Prishtina ka bërë një hap të madh për t’iu shmangur zonës së rrezikshme, pasi tani zë pozitën e pestë me 38 pikë, ndërsa dy pozita më poshtë me katër pikë më pak është Malisheva. Fitore të rëndësishme realizoi edhe Llapi, që si mysafir e mposhti Ulpianën në stadiumin “Sami Kelmendi”, me rezultat 2:0. Dardan Jashari në minutën e 36-të dhe Festim Alidema në minutën e 77-të të ndeshjes shënuan golat për skuadrën llapjane, e cila tashmë e përforcon pozitën e katërt me 44 pikë. Në anën tjetër, Ulpiana mbetet e parafundit me 24 pikë. Fitore të lehtë ka regjistruar Drita, e cila në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e ka mposhtur Feronikelin, me shifrat 5:0. Marko Simonovski (12’, 37’), Almir Kryeziu (25’), Hamdi Namani (34’) dhe Muharrem Jashari (70’) shënuan golat për skuadrën e Ardian Nuhiut. Pas kësaj fitoreje Drita rikthehet në pozitën e dytë, me 52 pikë, aq sa ka Gjilani në pozitën e tretë.