20 maj, 2017 – Sot janë zhvilluar gjashtë ndeshjet e javës së 32-të (të parafundit) në Vala Superligë. Drita ka shënuar fitore në derbin e qytetit kundër Gjilanit, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e ka shënuar Përparim Livoreka, në minutën e 87-të pas harkimit të Viktor Kukës. Ndërkohë, Prishtina ka shënuar fitore para tifozëve të vet kundër skuadrës tashmë kampione, Trepçës’89, me rezultat 1:0, duke e siguruar pozitën e dytë në renditje. Golin e fitores për Prishtinën e shënoi Mankenda. Fitore para tifozëve të vet kanë shënuar edhe Besa e Llapi. Pejanët e kanë mposhtur Ferizajn, me golin e shënuar nga Leart Emini nga penalltia. Ndërkaq, Llapi ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër Drenicës, 4:1. Golat për llapjanët i shënuan Florim Bërbatovci, Hamdi Namani (74’, 80’) dhe Edon Zeqiri (87’), derisa golin e nderit për drenicasit e realizoi Kreshnik Uka (54’). Ndërkohë, Liria ka arkëtuar një pikë tepër të rëndësishme në Drenas, duke barazuar me Feronikelin, me rezultat 1:1. Falë këtij barazimi prizrenasit tashmë kanë shpresa të mëdha për t’iu shmangur barazhit pasi në ndeshjen e fundit luajnë si vendës kundër Hajvalisë. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Feronikelit me golin e Behar Maliqit (54’), derisa golin e barazimit për Lirinë e shënoi Ilir Mustafa (88’). E ndeshjen ndërmjet dy skuadrave që edicionin e ardhshëm do të bëjnë gara në një rang më të ulët të garave e ka fituar Trepça, duke e mposhtur Hajvalinë në Kizhnicë, me rezultat 3:1.