28 tetor, 2017 –  Sot është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 13-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll, ku Prishtina ka shënuar fitore përballë Flamurtarit, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas, me rezultat 3:1. Për bardhekaltrit kjo ishte fitorja e shtatë në këtë edicion, e cila ia mundëson të rikthehet në pozitën e parë ku do të qëndrojë së paku deri nesër, kur luhen ndeshjet e tjera të kësaj jave. Prishtina kaloi në epërsi qysh në minutën e 4-t kur Armend Dallku shënoi nga penalltia, pasi paraprakisht Ardit Shala luajti me dorë brenda zonës. Gjatë pjesës së parë Prishtina kishte edhe shumë raste tjera, por nuk arriti ta shtojë epërsinë. Më afër golit ishte Ahmed Januzi në minutën e 13-të, por gjuajtja e tij nga distanca qëlloi shtyllën. Ndërkohë, Flamurtari arriti të barazojë shifrat pas vetëm katër minutash lojë në pjesën e dytë, me golin e Mërgim Boshnjakut nga distanca. Megjithatë, gëzimi i kuqezinjve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 59-të Debatik Curri e riktheu epërsinë, me golin e shënuar me kokë, derisa fitoren e bardhekaltërve e vulosi Mërgim Pefqeli, në minutën e 72-të pas asistimit të Përparim Osmanit.