5 gusht, 2021 – Skuadra kampione e Kosovës, FC Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të fazës së tretë në Ligën e Konferencës ndaj skuadrës norvegjeze, Bodo/Glimt, me rezultat 2:1. Skuadra bardhekaltër pati një paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe falë mbështetjes së madhe të tifozëve arriti të përmbysë rezultatin, pasi të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët. Ishte minuta e 10-të kur Solbakken asistoi për qendërsulmuesin Botheim, i cili shënoi lehtësisht. Prishtina i barazoi shifrat në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Otto John shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit dhe me gjuajtje me kokë e çoi topin në rrjetën e mysafirëve.  Në pjesën e dytë mysafirët bën trysni drejt portës së Prishtinës, por Haxho ishte në nivel të detyrës. Ndërkohë, në minutën e 82-të, prishtinasit e shënuan golin e fitores, kur qendërmbrojtësi Lode realizoi autogol pas një mosmarrëveshje me portierin Haikin. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Norvegji, ku do të përcaktohet skuadra e cila do të luajë në fazën e “play-off”-it të Ligës së Konferencës.