28 shkurt, 2022 – Përzgjedhësi i Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi ka grumbulluar sot ekipin e tij. Në Kampin Nacional në Hajvali, aty ku tashmë në kushte shumë të mira zhvillohen stërvitjet e ekipeve tona kombëtare, morën pjesë rreth 30 futbollistë të kësaj grupmoshe. Qëllimi i këtij grumbullimi është njohja e cilësive dhe formës së futbollistëve të ardhur nga jashtë e po ashtu komponimi i tyre me pjesën tjetër të ekipit me lojtarët vendor. Ky grumbullim tre ditorë vjen në prag të ndeshjeve miqësore që Kosova U19 do t’i zhvillojë me Kombëtaren e Shqipërisë U19 më 26 dhe 28 mars. Në këtë grumbullim Kosova U19 do t’i luajë edhe dy ndeshje miqësore. Krasniqi nuk është i kënaqur me pjesëmarrjen e futbollistëve në këtë grumbullim, pasi një numër i konsiderueshëm i tyre kanë munguar për arsye objektive, teksa shprehur edhe shqetësimin e ndërrimit të gjeneratës, e cila çdo herë sjellë vështirësitë e saj. Gjithsesi pritjet e Krasniqit janë pozitive duke ditur se ka futbollistë të talentuar në ekipin e tij.