ffk-llogofinNë momentin kur kemi zbraztësirë institucionale shtetërore dhe kur Kosova si shtet me mund të madh po mundohet të përfaqësohet  si e barabartë në organizatat ndërkombëtare, shihen edhe zëra që në çdo sferë të jetës e po ashtu edhe në sport në veçanti në futboll, të cilët mundohen të rrënojnë dhe të njollosin çdo përpjekje për avancim drejt qëllimit kryesor. FFK-ja me shqetësim dhe indinjatë po i ndjek këto tentime të disa individëve apo grupeve të interesit(të kujt?), të cilët po zhvillojnë kampanjë të vazhdueshme kundër çdo suksesi të arritur në sportin e Kosovës posaçërisht në futboll.
Shembulli më i keq në këtë drejtim është gazeta “Zëri” , e cila gati çdo ditë nxjerrë të pavërteta kundër FFK-së dhe klubeve kosovare. Kjo gazetë e cila siç duket për mision ka denigrimin e futbollit të Kosovës dhe i paguan vetëm ata gazetarë që janë të gatshëm të shkruajnë kundër FFK-së, i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e etikës së gazetarisë dhe misionit që kanë gazetat. Tashmë për opinion janë të njohura se në këtë gazetë mund të shkruajnë, dashtë e pa dashtë vetëm ata që marrin mundin të shkruajnë kundër çdo të arritur në futbollin e Kosovës sikur që njihen edhe individët që orkestrojnë këtë shkrime.
Po ta lexoni shkrimin e ditës së sotme në këtë gazetë mund të shihni një shembull eklatant i dezinformatve për opinion. Një shembull, që deri në ç’masë ka arritur shpifja në këtë gazetë dhe sërish e themi për interesa të kujt?  I tërë shkrimi është i thurur me supozime dhe hipoteka. FFK-a gjithsesi nuk do të rri duarkryq por do të marrë të gjitha masat ligjore kundër shpifjeve të tilla.
KE i FFK-së edhe më herët pati vendos që të ndërpresë çdo bashkëpunim me këtë gazetë, por duke besuar  se kjo gazetë do t’i kthehet informimit të drejt e pati pezulluar këtë vendim. Mirëpo, avazi i vjetër i kësaj gazete po vazhdon duke u marrë me shpifje e gjëra imagjinare duke tentuar të përçajë, klubet e Kosovës, individët dhe FFK-në e me të këtë edhe kundër institucioneve të shtetit, krejtësisht për interesa individuale dhe meskine, duke hedhë baltë mbi çdo zhvillim pozitiv në Kosovë.
FFK-ja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e hapur për media, për të gjitha çështjet por jo edhe me ata që po tentojnë  të rrënojnë dhe të vëne pengesa në rrugëtimin drejt arritjes së qëllimeve. FFK-ja ka tejkaluar pengesa edhe më të vështira se këto gjatë rrugëtimi të pavarur 23 vjeçar.
KE i FFK-së së shpejti në një mbledhje të radhës do ta rishikojë bashkëpunimin e mëtejmë me këtë gazetë.
 
Me nderime
Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së