28 maj, 2023 – Fizioterapisti i ekipeve Kombëtare të Kosovës në futboll, Rilind Obërtinca ka fituar çmim të rëndësishëm në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencës dhe Futbollit, që u organizua së fundmi në Groningen të Holandës. Ai e fitoi çmimin e ‘Karrierës së Hershme’ pas prezantimit të tij të suksesshëm.
Në këtë Kongres, në të cilin morën pjesë mbi 250 hulumtues nga e gjithë bota, fizioterapisti i Kombëtares së Kosovës prezantoi punimin e tij me titullin “Parandalimi i lëndimeve te lojtarëve të rinj të futbollit”.
Ky prezantim u vlerësua nga juria si fituesi i vendit të parë për çmimin ‘Karrierës së Hershme’, duke e njohur kështu kontributin e jashtëzakonshëm të Rilind Obërtincës në fushën e hulumtimit shkencor të lidhur me futbollin dhe parandalimin e lëndimeve.
Organizatorë të këtij Kongresi ishin University Medical Center Groningen dhe Federata e Futbollit të Holandës. Me punimin e tij shkencor, Rilindi tregoi aftësitë e tij në këtë fushë, por edhe vëmendjen ndaj shëndetit dhe sigurisë së lojtarëve të rinj në fushën e futbollit.
Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë kuadrot e reja në të gjitha segmentet që kanë të bëjnë me futbollin, në mënyrë që lojtarët të kenë trajtim sa më të mirë si në aspektin sportiv edhe në atë shëndetësor.