26 qershor, 2021 – Sot është përmbyllur “Play-off”-i Nacional, i cili përgjatë dy javëve u mbajt në Kampin Nacional Edukativ të FFK-së në Hajvali. Gjatë këtij turneu garuan ekipet kampione dhe nënkampione në kampionatet e regjioneve në kategoritë U13, U15 dhe U17. Në ditën e fundit të garave u zhvilluan ndeshjet finale në kategorinë U13 dhe në atë U15, teksa i pranishëm ishte edhe presidenti Agim Ademi. Faza e garave të “Play-Off’-it Nacional zgjoi interesim të madh edhe tek skautët e ndryshëm nga klubet evropiane, të cilët ishin të pranishëm për të parë nga afër talentin e lojtarëve të rinj kosovarë. Kampion në kategorinë U13 doli skuadra e drejtuar nga Faruk Statovci, Roni 19, e cila në finale pas një loje mjaft interesante e mundi Feronikelin, me rezultat 2:1. Golat për Ronin 19 i shënuan Engjull Mulolli dhe Erhad Vokrri, derisa golin e vetëm për skuadrën nga Drenasi e realizoi Liman Rrustemi. Rivalitet i madh dhe lojë interesante ishte edhe në finalen e kategorisë U15, ku u ballafaquan 2 Korriku dhe Arsenali. E fituesin e kësaj ndeshje dhe kampionin e kësaj kategorie e vendosi goli i shënuar nga Venis Havolli në pjesën e dytë. Në fund ekipet finaliste u nderuan me medalje dhe trofe.