3 tetor, 2021 – Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka shënuar golin e fitores për skuadrën e tij, Napoli, në ndeshjen e zhvilluar sonte në Firence kundër Fiorentinës. Kjo ndeshje i takoi javës së 7-të të Serisë A italiane dhe u mbyll me rezultat 2:1. Dardani ynë shënoi golin e dytë, me gjuajtje me kokë, në minutën e 50-të, duke ia sjellë fitoren skuadrës napolitane. Për Rrahmanin ky ishte goli i dytë në fanellën e Napolit. Pas kësaj fitoreje, Napoli është forcuar në vendin e parë me 21 pikë. Rrahmani nesër do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës në grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.