Sot më 28 maj, në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe zëdhënësi Fazli Berisha me kërkesën profesoreshës Naile Demiri nga Universiteti “UBT” mbajtën një ligjëratë për studentët e këtij Universiteti dega e gazetarisë. Sekretari Eroll Salihu u foli studentëve për mënyrën e funksionimit të FFK-së dhe subdordinimin me Institucionet ndërkombëtare siç janë UEFA dhe FIFA. U tregoi për strukturën organizative të FFK-së, për aktet normative që ka FFK-ja. Më tej z. Salihu u tregoi për raportet federatë-klube, për të drejtat e klubeve dhe obligimet e tyre. Më tej sekretari Salihu foli para studentëve për futbollistët, të drejtat e tyre, transferët dhe rëndësinë e kontratave, profesionale dhe amatore. Z. Salihu foli edhe për bashkëpunim ndërkombëtar me UEFA dhe FIFA veçmas për rëndësinë e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare, por edhe për vështirësitë dhe sfidat që ka FFK-ja për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar. Tutje z. Salihu para studentëve foli edhe për bashkëpunim që ka FFK-ja me Ministrinë e Sporteve si dhe me departamentet komunale për sport.
Ndërkaq, zëdhënësi Fazli Berisha, në fjalën e tij u fokusua më shumë për rolin e zëdhënësit në FFK, për rolin e tij si dhe për mirëbesimin dhe mirëkuptimin që një zëdhënës duhet të ketë në raport me mediat. Zëdhënësi duhet të jetë 24 orë në shërbim të mediave, të jetë i hapur dhe gjithmonë duhet të ketë një përgjigje të kënaqshme për çështjet e interesimit të secilit gazetar. Më tej gazetarëve u foli edhe për specifikat që ka gazetaria sportive dhe rolin e gazetarëve sportivë në përcjelljen e ngjarjeve sportive të degëve të ndryshme të sportit, si dhe rëndësinë e gazetarëve sportivë në zhvillimin e sportit si dhe pasqyrimin e ngjarjeve sportive në mediume.