23 mars, 2021 – Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të martën, ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”, ku është pritur nga sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes si dhe kapiteni Samir Ujkani.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili vjen nga Republika e Çekisë theksoi se i ka përcjellë ndeshjet e ciklit të kaluar kualifikues ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke. Ambasadori shprehu keqardhjen që futbolli po zhvillohet pa tifozë, por shprehu dëshirën që pasi të kalojë pandemia të vijë në stadium për t’i përcjellë ndeshjet e Dardanëve.
Nga ana tjetër sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu falënderoi ambasadorin Szunyog për vizitën e tij, duke theksuar se kjo nënkupton rëndësinë e futbollit dhe impaktit të tij në arenën ndërkombëtare duke rritur imazhin e Kosovës jo vetëm si kombëtare futbolli por edhe si shtet. Me këtë rast sekretari Salihu i dhuroi ambasadorit të BE-së një fanellë të Dardanëve.