010616kosovastervitje4Entuziazmi tek futbollistët e Përfaqësueses në prag të ndeshjes së sotme është i madh. Ndeshja kundër Ishujve Faroe është e veçantë për të gjithë futbollistët, pasi ajo është e para pas anëtarësimit në UEFA e FIFA dhe për herë të parë do të intonohet himni dhe do të valojë flamuri shtetëror i Kosovës. Gjithsesi kjo ndeshje do të jetë e veçantë sidomos për Besar Halimin, pasi ai ka lindur dhe është rritur pikërisht në Frankfurt. “E gjithë familja ime është në Frankfurt. Jetoj në këtë qytet dhe stadiumi ku do të luajmë sonte është vetëm 10 minuta larg shtëpisë sime. Jam shumë i lumtur që do të luajmë pikërisht në Frankfurt dhe besoj se do të bëjmë një lojë të mirë dhe në fund do t’i gëzohemi fitores”, ka thënë Besar Halimi.
Në ndeshjen e sotme në mungesë të Loret Sadikut përzgjedhësi Albert Bunjaki mund t’i japë hapësirë në mbrojtje anëtarit të Skenderbeut, Bajram Jashanica. Ai është i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë nëse i besohet një vend i titullarit. “E dimë pak a shumë se çfarë kundërshtari kemi përballë, ngase i kemi shikuar disa ndeshje të Ishujve Faroe në video. I kemi analizuar se ku mund të jenë ata më të rrezikshëm dhe ku ne mundemi ne t’i sulmojmë më shumë.  Duhet të kemi kujdes nga ndërprerjet, ngase ata janë lojtarë shtatgjatë. Sidoqoftë besoj se me atmosferën që mbretëron në përfaqësuese dhe me grupin që kemi do të kemi paraqitje të mirë”, ka thënë Jashanica.
Entuziast dhe optimist për ndeshjen e sotme shprehet edhe sulmuesi Albert Bunjaku, i cili rikthehet në Përfaqësuese pas mungesës në disa ndeshje. “Besoj që do të jetë një lojë shumë e mirë. Stërvitjet kanë qenë të mira dhe pa dyshim se do të hyjmë për ta fituar këtë ndeshje. E kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve, kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin, andaj shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Do të isha i lumtur sikur shënoj gol në këtë ndeshje”, ka theksuar  Bunjaku. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faroe zhvillohet sonte në orën 20:00 në Frankfurt dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK dhe Supersport.