19 korrik, 2022 – Ballkani sonte do të luajë ndeshjen e parë kundër La Fioritas, në kuadër të raundit të dytë në Ligën e Konferencës. Kampioni në fuqi i Kosovës, të hënën, e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në San Marino dhe të gjithë në skuadër janë shprehur se do të japin maksimumin që kësaj radhe ta kalojnë me sukses këtë sfidë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, u eliminua në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve nga skuadra lituaneze, Zhalgiris, derisa ekipi nga San Marino u eliminua në raundin paraeliminator nga Inter D’Escaldes. Ndeshja La Fiorita-Ballkani fillon në orën 20:45, teksa dueli i kthimit zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përveç Ballkanit në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, të enjten, luan edhe Drita.