FEDERATA E FUTBOLLIT E KOSOVËS ka një strukturë të qartë organizative.
Organi më i lartë i saj është Kuvendi, pastaj Komiteti Ekzekutiv, i përbërë nga 12 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, Kryetari i saj, Sekretari i përgjithshëm, Administrata dhe Komisionet e rregullta me ato të Gjyqtarëve dhe Trajnerëve.
Federata e Futbollit e Kosovës udhëhiqet në bazë të këtyre akteve normative:
Statuti, Rregullorja e Garave, Propozicionet e Garave, Rregullorja mbi regjistrimin e klubeve dhe lojtarëve, Rregullorja mbi statusin e lojtarëve, Regullorja disciplinore si dhe akte të tjera që rregullojnë punën e Komisioneve dhe Shoqatave.
Në FFK janë anëtare 10 klube në Superligë, 20 në Ligën e Parë, të ndara në dy grupe me nga 10 klube (Grupi A dhe Grupi B), 16 klube në Ligën e Dytë dhe 11 klube në Ligën e Femrave.
Kategoritë e reja garojnë në këtë mënyrë: Superliga dhe Liga e parë e Juniorëve, Liga e Kadetëve, si dhe Liga e Femrave U16.
Garojnë në mënyrë të rregullt edhe këto gjenerata : a) kategoria e fatosëve, b) kategoria e pionierëve, dhe c) kategoria e kadetëve . Përpos kësaj ekzistojnë edhe shkolla të futbollit të licencuara në FFK, por kushtet infrastrukturale të tyre nuk janë të mira.
Po ashtu funksionon edhe futsalli me dy kategori: Superligën dhe Ligën e Parë.
KOMISIONI I GJYQTARËVE
Kosova ka gjyqtarë me licencë të FIFA-s, të cilët me sukses po paraqiten në arenën ndërkombëtare. Sot FFK-ja i ka 31 gjyqtarë të kategorisë së parë, 112 të kategorisë së dytë dhe 166 të kategorisë së tretë. Në gjirin e kësaj shoqate janë të përfshira edhe 11 gjyqtare të gjinisë femërore.
SHOQATA E TRAJNERËVE TË KOSOVËS
FFK-ja ka në gjirin e vet trajnerë të kategorisë “Profi”, të kategorisë “A” , “B” dhe “C”. Këta trajnerë janë shkolluar nëpër shtete të ndryshme: Shqipëri, Suedi, Gjermani, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni etj. Mirëpo, tashmë FFK ka filluar të bëjë shkollimin dhe licencimin e trajnerëve, fillimisht me kategorinë C, proces ky i mbikqyrur nga UEFA.