Prishtinë, 15 korrik, 2021

E nderuara Familje Ibrahimi

Të nderuar drejtues dhe dashamirë të KF Llapi

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe ish-futbollistit të shquar llapjan, Naser Ibrahimi, andaj në këto momente të vështira për ju, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

Naseri ishte një futbollist tejet i talentuar në kohën e tij dhe me potencial të madh për karrierë të suksesshme evropiane, por lëndimi ia vështirësoi gjërat.

Sidoqoftë, ai, nga bashkëkohanikët e tij vlerësohej si një futbollist me vlera të mëdha dhe shembull i njeriut të dashur, të vyeshëm, të palodhshëm dhe të papërkulshëm nëpër sfida.

Edhe pse jetonte e vepronte në Diasporë, Naseri vazhdimisht ishte i interesuar për zhvillimet në futbollin e Kosovës, e veçmas për klubin e tij të zemrës.

Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut më të dashur për ju.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së