Prishtinë, 19 mars, 2023
E nderuar Familje Rrahmani!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Sadik Rrahmani, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Sadik Rrahmani si futbollist u shqua me talentin dhe lojën e tij të jashtëzakonshme në fanellën e Trepçës dhe atë të Prishtinës, por edhe disa klubeve tjera, teksa pas përfundimit të karrierës si lojtar i shërbeu futbollit tonë me përkushtim edhe si gjyqtar.
Me profesionalizmin dhe autoritetin e tij, Sadiku edhe si gjyqtar ishte ndër më të respektuarit në vendin tonë. Në vitet e fundit, ai dha kontributin e tij si anëtar në Komisionin e delegimit të gjyqtarëve në FFK, duke ndihmuar në rritjen e standardit të ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë, teksa përvojën e tij si futbollist e barti tek gjeneratat e reja të Trepçës’89 edhe si trajner.
Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi.
Vepra dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë dhe do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Sadiku ishte njeri i urtë, punëtor i palodhshëm dhe personalitet me vlera të mëdha humane, andaj si i tillë do të kujtohet përherë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së