12 shkurt, 2023 – Skuadra e Trepçës’89 e ka nisur me fitore të rëndësishme stinorin pranveror në Albi Mall Superligë. “Minatorët”, të dielën, në stadiumin “Riza Lushta” e kanë mundur njërën prej pretendenteve kryesore për titull, Dritën, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të mëdha për skuadrën e Shpëtim Idrizit e realizoi Armend Gashi, në minutën e 12-të. Pas kësaj fitoreje Trepça’89 ngjitet në pozitën e shtatë, me 22 pikë, derisa Drita tashmë zbret në pozitën e dytë, duke ngecur tri pikë me Ballkanin kryesues. Një gol për nismë të stinorit me tri pikë i ka mjaftuar edhe Dukagjinit, që para tifozëve të vet e ka mundur Prishtinën. Mërgim Pefqeli shënoi autogol në minutën e 43-të, duke e devijuar topin në portën e skuadrës së tij pas një gjuajtje nga këndi. Ky gol u zyrtarizua pas rishikimit të VAR-it, mirëpo solli protesta të shumta të futbollistëve dhe zyrtarëve të klubit bardhekaltër. Me këtë fitore Dukagjini ka arritur në kuotën e 25 pikëve në pozitën e pestë, dy më pak se Prishtina e vendit të katërt.