9 maj, 2017 – Trepça’89 e ka siguruar titullin e kampionit në Vala Superligë pas fitores që realizoi sot kundër Besës, në kuadër të javës së 30-të, me rezultat 2:0. Për Trepçën’89 ky është titulli i parë në histori të klubit, prandaj nuk kishte se si të mungonte edhe festa e lojtarëve dhe e stafit në fund të takimit. Sidoqoftë, festimi zyrtar dhe dorëzimi i titullit të kampionit do të bëhet në ndeshjen e javës së fundit, të cilën Trepça’89 e zhvillon në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë kundër kampionit të edicionit të kaluar, Feronikelit. Golat në fitoren e Trepçës’89 në Pejë i shënuan Oto John, në minutën e 45-të dhe Muharrem Jashari, në minutën e 90-të. Do theksuar se Besa në këtë takim u paraqit kryesisht me juniorë, pasi futbollistët e ekipit të parë ishin në bojkot për shkak të mos përmbushjes së obligimeve financiare nga ana e klubit.