17 gusht 2018 – Në prag të fillimit të edicionit të ri të garave sot është mbajtur një takim me delegatë(vëzhgues) të cilët do të jenë nëpër ndeshjet e këtij kampionati. Duke i përshëndetur të pranishmit, presidenti i FFK-së z. Agim Ademi ka vënë në dukje rolin e madh që kanë vëzhguesit në një ndeshje dhe nga puna e tyre varet shumë edhe  pasqyra reale e një ndeshje, që ndihmon organet tjera për të vënë rregull në kuadër të akteve normative të FFK-së. Prandaj kërkojë nga ju që të jeni në nivelin e detyrave që do të keni para vetes. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu ka rikujtuar për aspektin administrativ në kuadër të sistemit on line të raportimit nga ndeshja për rezultatet dhe për zhvillimin e një ndeshje duke kërkuar që të jenë efikas e të shpejtë në përcjelljen e informatave të duhura. Nga ana e tij kryetari i Komisionit të garave z. Ismet Ahmeti, ka thënë se vëzhguesit duhet të jenë vigjilent në punën e tyre, të ndjekin ndeshjen me korrektësi e të shënojnë të gjitha të dhënat që kërkohen sikur edhe të shënojnë çdo gjë që ndodhë para, gjatë dhe pas ndeshjes me korrektësi maksimale, sepse nga këto varet shumë edhe mbarëvajtja e garave.