13 qershor, 2018 – Kanë përfunduar punimet e Kongresit të 68-të të FIFA-s, që u mbajt sot në Moskë, ku është votuar edhe për organizatorët e Botërorit të vitit 2026. Për herë të parë në histori ngjarja më e rëndësishme e futbollit do të zhvillohet në tri shtete, pasi ka qenë kandidatura e përbashlët SHBA-Meksikë-Kanada, ajo që ka fituar në votimin transparent elektronik përballë asaj të Marokut. 134 federata kombëtare kanë votuar për kandidaturën e përbashkët të tri shteteve të Amerikës Veriore, derisa 64 vota kanë shkuar për kandidaturën e Marokut. Ky do të jetë Botërori i parë që do të zhvillohet me formulë të re, me 48 skuadra pjesëmarrëse. Federata e Futbollit e Kosovës në këtë kongres u përfaqësua nga zëvendëspresidenti, Agim Ademi dhe menaxheri Bajram Shala, që njëherësh do të jenë edhe pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror, që fillon nesër.