Sot më 19 nëntor në Qendrën Sportive “Katana” në Kastriot u bë shpërndarja e Licencave “B” të UEFA-s, brezit të tretë të trajnerëve. Në fillim drejtori i Qendrës për Edukim i FFK-së, z. Malsor Gjonbalaj, ka përshëndetur vijuesit e këtij trajnimi dhe ka falënderuar instruktorët nga Gjermania për punën dhe angazhimin që kanë bërë. Pastaj nënkryetari i FFK-së z. Agim Ademi duke ju drejtuar të pranishmëve ka thënë se FFK-ja po bën dhe do të bëjë edhe më shumë në ngritjen profesionale të trajnerëve dhe të atyre që dëshirojnë këtë zeje. “Kur të gërshetohen përvoja gjermane dhe talenti ynë, atëherë besoj se ju do të jeni nesër trajnerë të mirë”, ka theksuar Ademi. Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i FFK-së z. Eroll Salihu, ka thënë se bashkëpunimi me Federatën gjermane të futbollit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ju thënë këtyre trajnerëve të rinj se këtë dituri që e keni marrë këto ditë ta transmetoni tek futbollistët e rinj që nesër do t’i drejtoni. Ndërsa z. Wolfang Grunert, njëri nga instruktorët ka thënë: “Jemi këtu në Kosovë për të katërtën herë dhe besoj se kemi punuar mjaft mirë dhe ka dukshëm përparim në secilin grup që kemi pasur dhe keni arritur një përvojë të mirë që besoj se do të keni mundësi ta përcillni tek të rinjtë”. Në emër të grupit të trajnerëve ka folur z. Bejtush Bejta, i cili ka falënderuar FFK-në që po ua mundëson trajnimin dhe përsosjen e trajnerëve sikur edhe instruktorët gjerman, të cilët sipas tij kanë punuar me përkushtim të madh dhe nga të cilët trajnerët kanë përfituar dituri të reja.