5 tetor, 2019 – Kombëtarja U19 në konkurrencën e femrave, sot, në Manavgat të Turqisë, e ka zhvilluar ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020 që mbahet në Gjeorgji. Pas humbjes nga Danimarka (8:0), vashat e drejtuara nga Kushtrim Munishi kanë pësuar humbje nga Hungaria, me rezultat 6:1, ndonëse në pjesën më të madhe të ndeshjes shfaqën lojë shumë të mirë dhe u treguan rivale të denja për hungarezet. Në fakt, Dardanet e reja e nisën shumë mirë ndeshjen dhe arritën të kalojnë në epërsi me golin e shënuar nga Erjona Emërllahu, në minutën e 19-të. Mirëpo, gëzimi i futbollisteve tona nuk zgjati shumë, ngase vetëm dy minuta më vonë hungarezet barazuan me golin e shënuar nga Sara Pusztai. Ky gol sikur i kapi në panik vashat tona, të cilat pas tre minutash pësuan edhe golin e dytë, të cilin e realizoi Viktoria Bodai. Pjesa e parë u mbyll pikërisht me rezultatin 1:2 në të mirë të hungarezeve, të cilat në fillim të pjesës së dytë shënuan edhe golin e tretë, kur sërish realizoi Viktoria Bodai. Në vazhdim futbollistet tona bënë përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por nuk e gjetën më rrugën e golit, derisa në minutat  e fundit hungarezët shënuan edhe tre gola tjerë nëpërmjet Viktoria Bodai (80‘), Sara Pusztai (82’) dhe Bernadett Stefan (88’). Ndeshjen e fundit në Grupin 12, Kosova U19 do ta zhvillojë kundër Turqisë, më 8 tetor.