12 shtator 2023 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka zhvilluar sot ndeshjen e tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025.

Dardanët nuk arritën t’i rezistojnë favoritit të Grupit D, Gjermanisë, aty ku marrin pjesë edhe Polonia, Bullgaria, Estonia e Izraeli.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova bëri paraqitje të mirë, por në fund pësoi humbje 3:0.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani me shumë kujdes kishte ndërtuar formacionin me të cilin do ta luftonte Gjermaninë në fushë. Në portë ai vendosi Leo Besson, mbrojtjen ia besoi Florian Haxhës në krahun e majtë dhe të djathtin Gërxhaliut, derisa në qendër vendosi Valon Zumberin bashkë me Andi Hotin.

Mesfusha i takoi Adem Podrimajt, Milot Avdylit dhe Veton Tushës, derisa në krye të sulmit përzgjedhësi i Kosovës U21, vendosi Ardit Tahirin i cili krah të majtë kishte Besfort Zenelin, ndërsa në të djathtë në pozitën e sulmuesit ishte Arian Llugiqi.

Me këtë përbërje, Kosova përmbylli pjesën e parë 0:0.

Në pjesën e dytë Gjermania me çdo kusht e kërkonte golin, derisa në minutën 74, Youssoufa Moukoko e shënoi të parin. Katër minuta më vonë, mysafirët thelluan epërsinë, ku i njëjti futbollist shënoi golin e dytë. Gjermanët dominuan në vazhdimësi, derisa një minutë para se ndeshja të përfundojë, Colin Kleine Bekel shënoi për 3:0, që ishte edhe rezultati përfundimtar.

photo by: @Shpend Ahmeti