05 qershor, 2017 – Kombëtarja U21 e Kosovës është akomoduar sot në hotel “International Prishtina” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e dytë kualifikuese për Evropianin 2019, kundër Norvegjisë, e cila do të zhvillohet më 12 qershor në Drammen, në orën 19:00. Kombëtarja U21 sot pasdite ka mbajtur seancën e parë stërvitore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, aty ku do t’i zhvillojë edhe tri stërvitje tjera para nisjes për në Norvegji, të premten në mëngjes. Në mungesë të përzgjedhësit, Rafet Prekazi, i cili ndodhet në Tiranë për obligime zyrtare, trajnerit Erdogan Celina i asistoi trajneri i Kombëtares U17, Fadil Berisha dhe trajneri i portierëve Naser Prapashtica. Në stërvitjen e parë u punua me intensitet paksa më të vogël, por tek lojtarët u vërejt vullnet dhe dëshirë e madhe për punë. Kryesisht u punua në aspektin tekniko-taktikë, por edhe në lojën sulmuese dhe atë mbrojtëse. Stërvitjen e përcolli nga afër edhe drejtori teknik Michael Nees. Stërvitjen e radhës Kombëtarja U21 e zhvillon nesër në orën 17:00.
Deklaruan pas stërvitjes
Erdogan Celina, trajner: “Të gjithë futbollistët e ftuar për ndeshjen me Norvegjinë janë paraqitur në stërvitjen e sotme, përveç Besart Celinës, i cili ndoshta do të na bashkohet këto ditë. Lojtarët kanë punuar shumë mirë dhe po përgatiten me vullnet për ndeshjen kundër Norvegjisë. Ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe për faktin që na pret një kundërshtar shumë i fortë. Mendoj se e kemi kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur sa më mirë për këtë sfidë. Padyshim ardhjet e Ardian Ismajlit dhe Valmir Sulejmanit nga Kombëtarja A e kanë rritur dukshëm vullnetin, por edhe konkurrencën në skuadër. Me siguri se me ardhjen e tyre do të jemi edhe më të fortë se në Irlandë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se na pret ndeshje e vështirë dhe duhet të angazhohemi edhe më shumë se sa në ndeshjen e kaluar. Në dy stërvitjet e para do të ndihmohem nga trajneri Fadil Berisha, pasi përzgjedhësi Rafet Prekazi ndodhet në Tiranë për obligime zyrtare, por kjo nuk paraqet ndonjë pengesë, pasi po punojmë me planprogramin të cilin e kemi bërë së bashku me Prekazin”.
Drilon Tejeci: “Pas ndeshjes me Irlandën kemi pasur mundësinë të përgatitemi më shumë dhe tash besoj se me stërvitjet që do t’i bëjmë gjatë këtyre ditëve këtu, por edhe pas shkuarjes në Norvegji do të jemi kompakt. Tash kemi edhe përforcimet që kanë ardhur nga Kombëtarja A, të cilët do të na ndihmojnë shumë. Shpresoj të kalojmë sa më mirë në stërvitje dhe të shkojmë në Norvegji për të marrë rezultat pozitiv”.
Lista e futbollistëve
Visar Beka, Ardit Nika, Betim Halimi, Kamer Krasniqi, Ardian Ismajli, Drilon Tejeci, Rron Statovci, Arian Kabashi, Besfort Kolgeci, Rron Broja, Albert Dabiqaj, Kushtrim Shabani, Ylber Maloku, Florent Hasani, Almir Ajzeraj, Bersant Celina, Adenis Shala, Mendurim Hoti, Ardit Gashi dhe Valmir Sulejmani.