23 gusht, 2017 – Komisioni Disiplinor i shkallës së parë, në mbledhjen e mbajtur me datë 23.08.2017 shqyrtoi procedurat e iniciuara disiplinore nga ana e Komisionit të Garave pas përfundimit të ndeshjeve nga java e parë e Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve dhe për të njëjtat duke iu referuar raporteve të zyrtarëve, konform Dispozitave të Rregullores Disiplinore nxori këto;
V E N D I M E
ANDRIAN CHAVOLLI, lojtar i klubit të futbollit “ FLAMURTARI “ nga Prishtina me numër të licencës 17 në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, për ndëshkim me karton të kuq (ofendime me fjalor më banal drejtuar gjyqtarit kryesor Kreshnik Vula) në ndeshjen e javës së parë të Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve; TREPÇA ‘89 – FLAMURTARI, e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta“ në Mitrovicë me datë 18.08.2017 (raportet e zyrtarëve të ndeshjes)
DËNOHET
Me ndalesë loje për ; 3 (tri) ndeshje zyrtare sipas radhës të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës, në bazë të Rregullores disiplinore neni 38 paragrafi 3.
KF “ VËLLAZNIMI “ nga Gjakova në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, për lëshime në organizimin e ndeshjes së javës së parë të Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë seniorëve; VËLLAZNIMI – LIRIA, e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjakovë (raportet e zyrtarëve; ndezje dhe hedhje e flakadanëve minuta 47’, 58’, 73’ dhe 93’ si dhe hedhja e një kanaçe birre në drejtim të asistentit të dytë; Meriton Berisha);
DËNOHET
Me të holla në shumë prej ; 800 euro ( tetëqind ) në bazë të Rregullores disiplinore neni 49 paragrafi 1 dhe nenit 10 paragrafi 3 pika 1. Afati i pagimit të dënimit të shqiptuar në të holla është 15 ditë nga data e sjelljes së këtij vendimi, respektivisht nga data e publikimit të tij në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës datë 23.08.2017.
ISMET MUNISHI; kryetrajner i klubit të futbollit “VËLLAZNIMI“ nga Gjakova, në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, për manifestim të sjelljeve josportive (reagime në vendimet e gjyqtarëve) gjatë zhvillimit të ndeshjes së javës së parë të Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve; VËLLAZNIMI – LIRIA, e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjakovë (raportet e zyrtarëve dhe incizimet televizive) – në mungesë të deklaratës vetanake i
HAPET PROCEDURA DISIPLINORE
Deri në vendimin përfundimtar të Komisionit Disiplinor (kompletimin e lëndës). Kërkohet deklarata plotësuese nga kryetrajneri, Ismet Munishi lidhur me rastin e procedurës së iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, afati datë 25.08.2017 ora 10,00 (Rregullorja Disiplinore, neni 31 ).
KF “ DRITA “ nga Gjilani në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, për lëshime në organizimin e ndeshjes së javës së parë të Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve; PRISHTINA – DRITA, e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi“ në Drenas (raportet e zyrtarëve; hedhje e gjësendeve në fushë nga ana e shikuesve të KF “Drita“ nga Gjilani si dhe fyerje të palejuara raciste nga ana e të njëjtëve drejtuar lojtarit nikoqir B.Khalid)
DËNOHET
Me të holla në shumë prej; 1000 euro (njëmijë) në bazë të Rregullores Disiplinore neni 49 paragrafi 1 dhe nenit 10 paragrafi 3 pika 1. Afati i pagimit të dënimit të shqiptuar në të holla është 15 ditë nga data e sjelljes së këtij vendimi, respektivisht publikimit të tij në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës datë 23.08.2017.
Gjyqtari; BURIM JAHMURATAJ (ndeshja; Vëllaznimi – Liria) dhe gjyqtari i katërt; GRAMOZ SHALA (ndeshja; Vëllaznimi – Liria) për tolerancë të tepruar ndaj kryetrajnerit të klubit të futbollit “Vëllaznimi“ nga Gjakova, rasti për shqyrtim i përcillet Komisionit për Gjyqtarë të futbollit.
KËSHILLA JURIDIKE
Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë ankese drejtuar Komisionit të shkallës së dytë – Komisionit për Ankesa, në afatin kohor prej 8 (tetë) ditëve nga data e sjelljes së këtij vendimi, respektivisht publikimit të tij në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës datë 23.08.2017. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.
Prishtinë, datë 23.08.2017 Kryetari, Dukagjin Zefi d.v.