Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë në përbërje: Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati në mbledhjen e mbajtur më datën 06.11.2020, lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë për Kampionatin 2020/2021, administroi tërë materialin e prezantuar nga zyrtarët e ndeshjeve, andaj bazuar në nenin 75 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, në bazë të autorizimeve që ka mori këto:

V E N D I M E

1.Regjistrohen ndeshjet e javës së 11-të të Superligës dhe të javës së 9-të të Ligës së Parë në futboll për edicionin 2020/2021 me rezultatet e arritura në fushë.

2.Duke i shqyrtuar dhe analizuar raportet e delegatëve, kontrollorëve si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave duke u bazuar në raportet e zyrtarëve të FFK-së dhe pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive dhe (raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mjeteve të informacionit) gjeti prova për

Inicim disiplinor

-ndaj kryetrajnerit të KF Ballkani, Ismet Munishi, për shkak se gjatë ndeshjes kishte përdor fjalor të pa përshtatshëm dhe josportiv në drejtim të gjyqtarëve, në ndeshjen Feronikeli – Ballkani.

-ndaj FC Trepça ’89, për shkak të dështimit në organizimin e ndeshjes: pas përfundimit të pjesës së parë të  ndeshjes i lejohet qasja në lokalet zyrtare personit të paautorizuar z. Ilir Bojku, i cili në hyrje të tunelit dhe në lokalet zyrtare të gjyqtarëve, kërcënon seriozisht, shan dhe ofendon rënd dhe në mënyrën më banale gjyqtarët e ndeshjes. I njëjti ishte në listën e personave të vendasve, për këto arsye zyrtarët e ndeshjes kanë kërkuar largimin e tij nga stadiumi, për çka vazhdimi i lojës në pjesën e dytë ka filluar me vonesë prej 14 minutave, në ndeshjen Trepça’89 – Drita.

-ndaj lojtarit të KF Arbëria me nr.22 Labinot Ibrahimi, ID.nr.015607M86, për shkak se pas përfundimit të ndeshjes, qëllimisht e kishte dëmtuar mikrofonin me wireles dhe mbajtësin e tij, vlera e të cilit sipas përfaqësuesve të kompanisë ”Art Motion” është 750 euro.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte/ankesës në Vendime tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/ Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Me respekt,
Komisioni i Garave i FFK-së