Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë në përbërje, Abdyl Bellopoja kryetar, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati anëtarë, në mbledhjen e datës 23.02.2021, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës dhe të xhiros së 15-të të Ligës së Parë Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2020/2021. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 69 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:

V E N D I M E

1.Regjistrohen ndeshjet e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës dhe të xhiros së 15-të të Ligës së Parë Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2020/2021, me rezultatet e arritura në fushë.

2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave hapi procedurë disiplinore për këto raste:

Inicim disiplinor

-ndaj ndihmëstrajnerit të KF “Drenica”, Skënder Mustafa, ID nr 010189M66.
Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes Drenica-Besa, sulmon futbollistin e FC “ Besa “ me nr 34 Agon Gjaka, duke e kapur për fyti më të dy duart, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq, sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes.

-ndaj kryetrajnerit të KF “ Drenica”, Bledar Devolli ID nr 009906M78.
Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes Drenica-Besa, edhe pse ishte nën masën disiplinore të shqiptuar nga KD i FFK-së, hyn në fushë dhe dukshëm i frustruar nga rezultati i ndeshjes ofendon dhe tenton të konfrontohet me zyrtarët dhe lojtarët e ekipit mysafir. Me të njëjtat sjellje vazhdon edhe në lokalet zyrtare duke fyer rëndë zyrtarët e FC “Besa“, sipas raporteve të zyrtarëve të ndeshjes.

-ndaj KF “ Drenica”
Motivi: lëshim në organizim të ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes Drenica – Besa lejohen persona të paautorizuar të futen në fushën e lojës dhe në lokalet zyrtare duke shkaktuar tensione të panevojshme, sipas raporteve të zyrtarëve të ndeshjes.

-ndaj kryetarit të KF “KEK-u”, Besnik Mjeku
Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes KEK-u – Kika, derisa gjyqtarët po shkonin në zhveshtore tentoi ta sulmojë gjyqtarin kryesor të ndeshjes, mirëpo pas reagimit të policisë parandalohet sulmi. Me këtë rast gjyqtari kryesor e ndëshkon atë me karton të kuq, sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes.

-ndaj kryetarit të KF “Kika“ Naim Biçkaj.
Motivi: Në minutën e 34-t anulohet goli i parregullt, në çka kishte reaguar i sipërpërmenduri duke ofenduar rëndë gjyqtarin kryesor dhe asistentin e dytë dhe është ndëshkuar  me kartonin e verdhë. I njëjti vazhdon me ofendime dhe gjyqtari kryesor e ndëshkon me kartonin e kuq direkt, sipas raportit të gjyqtarit të ndeshjes.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte/ankesës në Vendime te Komisioni Disiplinor i FFK-së/Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Komisioni i Garave i FFK-së