Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë në mbledhjen e mbajtur me 22.09.2021, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së pestë të BKT Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së katërt të Viva Fresh Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2021/2022. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 69 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:
V E N D I M E
1.Regjistrohen ndeshjet e xhiros së pestë të BKT Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së katërt të Viva Fresh Liga e Parë, Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2020/2021 me rezultatet e arritura në fushë.
2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:
Inicime disiplinor
ndaj FC Ballkani: motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes Ballkani-Llapi , mos respektim i vendimit të Qeverisë, lidhur me masat anti Covid 19, për çka është vonuar fillimi i pjesës së dytë prej 23 (njëzet e tre) minuta. Sharje ofendime në kor drejtuar kryetrajnerit të FC Llapi, Tahir Batatina nga ana e publikut vendas, hedhje e disa shisheve PVC në drejtim të Tahir Batatina dhe bankinës mysafire. Sipas raportit të delegatit dhe xhirimit televiziv.
ndaj: SC Gjilani: motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes, Gjilani – Ulpiana , në minutën e 54-t pas akordimit të penalltisë dhe shënimit të golit nga mysafirët, simpatizuesit e SC Gjilani hodhën shishe PVC drejt lojtarëve të KF Ulpiana dhe ofenduan në kor lojtarët mysafirë dhe gjyqtarin kryesor. Në minutën e 68-të, një simpatizues i SC Gjilani, i cili në dorën e majtë mbante një shufër metali, futet në fushë dhe i vërsulet gjyqtarit kryesor, mirëpo parandalohet nga ana e përfaqësuesit për siguri dhe lojtarëve të SC Gjilani. Sipas raportit të delegatit dhe xhirimit televiziv.
ndaj: Ndihmës trajnerit të SC Gjilani, Agim Maliqi, ID.nr.006486M76: motivi: Pas ndëshkimit me karton të verdhë, i njëjti fillon me kërcënime dhe ofendime ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Gjilani – Ulpiana , për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes.
ndaj KF Vitia; motivi: Nuk ka ndërmarr masa për sigurimin e mjekut gjatë ndeshjes Vllaznia (P) – Vitia në Viva Fresh Ligën e Parë – Grupi B, sipas rregullores së garave.
Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte / ankesës në vendimet të Komisioni Disiplinor i FFK –së / Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3 e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.
Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë 22.09.2021