Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligë të Parë, në mbledhjen e vet të mbajtur më datë 11.05.2021, shqyrtoi ankesën e KF Liria, të parashtruar me datë 09.05.2021 lidhur me regjistrimin e ndeshjes së javës së 26-të të Ligës së Parë, Grupi ”A”, ndërmjet KF Liria – KF Vëllaznimi dhe konform nenit 76, paragrafi 1, pika 7 të Rregullores së garave, mori këtë:

V E N D I M

1. Aprovohet ankesa e KF Liria si e bazuar dhe ndeshja e javës së 26-të e Ligës së Parë, Grupi ”A”, ndërmjet KF Liria – KF Vëllaznimi, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Liria.

Komisioni i garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Liria – KF Vëllaznimi, java e 26-të, Liga e parë – Grupi ”A”, konstatoi se KF Liria ka parashtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF Vëllaznimi, me nr.16 Argjend Ahmetaj, nr ID 02362M99, për arsye se lojtari është aktivizuar në lojë në minutën e 46-të dhe nuk ishte në protokollin zyrtar të ndeshjes të nënshkruar nga përfaqësuesit zyrtar të të dy klubeve.

Gjatë administrimit të provave KG konstatoi se ankesa është e parashtruar në afatin ligjor, e lejuar, e taksuar dhe i përmbushë të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga KG.

Pas verifikimit të protokollit zyrtar të ndeshjes KF Liria – KF Vëllaznimi, KG ka vërtetuar se lojtari i lartcekur nuk ishte i evidentuar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes, andaj KG konstatoi se kemi shkelje të nenit 76, paragrafi 1, pika 7 të Rregullores së garave dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0, në favor të KF-Liria.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në afat prej 3 (tri) ditësh tek Komisioni i Apelit i FFK-së.

Me respekt,
Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë
Abdyl Bellopoja, kryetar