Sot më 16 maj delegacioni i FFK-së, Fadil Vokrri kryetar dhe Flamur Bunjaku anëtar i KE të FFK-së, u kthyen në Kosovë nga Meksika ku ishin pjesëmarrës në Kongresin e FIFA-s, ku FFK-ja u pranua si anëtarja e 210-të. Delegacionin e FFK-së në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin dalë ta presin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Shala me bashkëpunëtorë, anëtarët e KE të FFK-së dhe shumë kryetar të klubeve dhe dashamirë të futbollit të Kosovës. Duke falënderuar për këtë pritje kryetari Vokrri e njohu ministrin Shala për ecurinë e kongresit dhe pranimin e futbollit të Kosovës në FIFA. “Ky ishte objektivi ynë i dytë, pas pranimit në UEFA dhe muaji maj shënon epokën e re për futbollin e Kosovës”, ka thënë Vokrri. Nga ana e tij ministri Kujtim Shala përgëzoi kreun e FFK-së, z. Fadil Vokrri dhe Komitetin Ekzekutiv si dhe të gjitha klubet për këtë sukses duke premtuar mbështetje edhe më të madhe për futbollin e Kosovës.