Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, në prag të nisjes për në Budapest, janë pritur sot nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Me këtë rast kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri falënderoi presidentin dhe institucionet e vendit, për përkrahjen e dhënë. Ndërsa theksoi se shpreson se do t’i kenë votat në Kongresin i cili do të mbahet nesër, i cili sipas tij, do t’i hap rrugët për futbollistët e rinj kosovarë. “Faleminderit për mbështetje në vigjilie të udhëtimit tonë në Budapest ku do të mbahet Kongresi i radhës i UEFA-s, ku Federata e Futbollit të Kosovës, është në rend të ditës. Dhe ne me mundësitë tona nuk jemi ndalur asnjëherë dhe gjithmonë kemi punuar me mundësitë tona dhe kemi ardhur deri këtu. Potencuam dhe vështirësitë ligjore që i kemi pasur deri në shtator të vitit të kaluar kur në Maltë u mor vendimi që kërkesa jonë të dërgohet në votim në Kongres. Ne shpresojmë që do ta kemi shumicën në Kongres dhe të hapim rrugë të reja, për të rinjtë dhe të rejat tona. Iu falënderoj juve dhe Qeverinë dhe të gjitha institucionet, që keni qenë gjithmonë krahë i fortë i Federatës së Futbollit. Ne shpresojmë që pas kthimit nga Budapesti të kemi edhe më shumë lajme pozitive”, tha Vokrri. Në anën tjetër presidenti Thaçi theksoi se pas një izolimi 25 vjeçar, Kosova do të jetë pjesë e familjes së futbollit evropian dhe botëror. Thaçi, po ashtu përgëzoi FFK-në për punën, përkushtimin dhe vendosmërinë për ecjen e futbollit përpara. Ndërsa e quajti sukses emblematik për sportin kosovar, anëtarësimin në UEFA. “U dëshmua edhe njëherë se Kosova, po i plotëson gradualisht kriteret, standardet e nevojshme për pjesëmarrje në ligat evropiane, por dhe në garat botërore të futbollit. Kosova është një ambienti i talenteve prej më të fuqishme, mund të themi dhe në Evropë sa i përket futbollit. Ne duhet të investojmë dhe më tepër në infrastrukturë. Por ajo që është shumë me rëndësi është se dëshiroj t’iu përgëzoi shumë tash kur jemi në prag të mbajtjes së Kongresit të UEFAS në Budapest nesër. Ju do të jeni aty me mesazhin më optimist, kuptimplotë dhe besimin e fuqishëm se Kosova tash pas një izolimi 25 vjeçar të futbollit dhe sportit kosovar, do të jetë pjesë e familjes së futbollit evropian dhe botëror. Siç theksuat edhe ju, mbesim me besim të fuqishëm dhe bindje të plotë, se do të fitohet shumica e mjaftueshme për mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës që të jetë pjesë e UEFA-s dhe menjëherë pas kësaj presim anëtarësimin në FIFA”, tha Thaçi.