Sonte më 5 maj, në hotelin “Emerald”, Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar një koktej festiv me rastin e suksesit historik – anëtarësimit me të drejta të plota në UEFA. Në mesin e shumë mysafirëve, ishin edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministra të qeverisë, deputetë të Kuvendit si dhe krerë të partive politike. Këtë mbrëmje festive të FFK-së e nderuan edhe zëvendëspresidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Rainer Milkoreit, presidenti i FSHF-së, Armando Duka dhe zyrtarë të ambasadave dhe të federatave të ndryshme sportive. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili i uroi të gjithë për këtë sukses të madh dhe thyerje të izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar. “Pas gjithë kësaj që ndodhi, emocionet dhe drithërimat nuk pushojnë, përkundrazi ato vijnë e shtohen, sikurse shtohen e rriten obligimet dhe detyrimet tona. Por, më lejoni që në këtë çast solemn, në këtë takim që shënon epokën e historisë sonë më të re, të falënderoj në radhë të parë bashkëshorten time, Editen, fëmijët Gramosin, Albanen dhe Albertin, të cilët për një kohë sikur e humbën dashurinë dhe përkushtimin e prindërit. Por rikthehem me premtimin e mbajtur që na bënë të jemi krenar! E vlerësoj shumë sakrificën tuaj, sepse më mbështetët aq fuqishëm në realizimin e këtij misioni, që për disa skeptik dukej i pamundshëm! Ky mision kërkoj ekip dhe sakrifica edhe jashtë familjes sime. Mbështetje të parezervë kisha edhe nga Komiteti Ekzekutiv, i cili në asnjë çast nuk më la vetëm dhe nuk dyshoi asnjëherë se nuk do të mund të mbërrijmë në betejën finale! Ne, e vazhduam ëndrrën e pararëndësve, të cilët me guxim e kurajë i kishin nisur hapat e parë! Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që punuan, përkrahën dhe e mbajtën të pafikur fanarin e lirisë! Kreut të Federatës së parë, të asaj vijuese, të sotmes, administratës, zyrtarëve, drejtuesve të klubeve, lojtarëve, gjyqtarëve, donatorëve, bamirësve, gazetarëve, publikut, por edhe atij më të voglit, që të paktën thurri ëndrrën e vet, nga ky vend solemn ju them: Ju lumtë! Faleminderit dhe e gëzofshi pranimin në UEFA. Faleminderit UEFA! FIFA , ne po vijmë!”, ka theksuar në fjalimin e tij para të pranishmëve numri një i FFK-së, Fadil Vokrri. Të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti edhe kreu i FSHF-së, Armando Duka, i cili ishte përkahës i madh i FFK-së në arritjen e këtij qëllimi. “48 orët e fundit kanë hapur një epokë të re për futbollin e Kosovës. Sot futbolli i Kosovës duke qenë anëtar i UEFA-s dhe së shpejti pas pak ditëve besoj edhe i FIFA-s, do të ketë shumë më tepër zhvillim, do të ketë më shumë ndihma, donacione dhe do të ketë shumë më tepër kualitet loje. Kualiteti dhe talentet e futbollit në Kosovë janë shumë të mëdha dhe jam shumë i sigurt se Kosova do të jetë një nga qendrat e talenteve të futbollit të rajonit apo të Evropës. Kosova është i vetmi vend i cili furnizon me futbollistë 12-13 kombëtare të Evropës, gjë të cilën nuk besoj që e ka asnjë vend tjetër. Jam i sigurt që sot jemi më të fortë se kurrë dhe ky është vetëm fillimi i një rruge të madhe për të arritur ëndrrën e gjithë shqiptarëve dhe për të realizuar atë që duan shqiptarët. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për arritjen e këtij suksesi. Të gjithë themeluesit e e Federatës së Futbollit të Kosovës, falënderoj të gjithë ata pa marrë parasysh pozicionet që kanë pasur. Falënderoj Fadil Vokrrin që ka kontribuar shumë, qeverinë e Kosovës, Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, gjithë veteranët e futbollit dhe të gjithë njerëzit që kanë mbajtur gjallë futbollin e Kosovës”, është shprehur Duka. FFK-në dhe të pranishmit i ka uruar edhe nënkryetari i DFB-së, Rainer Milkoreit. “Jam shumë krenar që ndodhem në mesin tuaj dhe jam krenar që ju u pranuat aty ku edhe e keni vendin. Më 3 maj dashamirët tuaj nga gjithë Evropa kanë pasur ethe nëse do të pranohet apo jo Kosova. Unë atë ditë isha në një udhëtim në Angli dhe nga aeroporti tërë kohën isha në rrjedha të situatës dhe gëzimi më i madh për mua ishte lajmi se Kosova u pranua në UEFA. Që afër 6 vite jam duke u lutur dhe duke angazhuar që ta ndihmojë federatën tuaj dhe ju sot e gëzoni atë që e keni merituar. I tërë shteti duhet të jetë krenar për këtë pranim, edhe ju edhe institucionet edhe futbolldashësit duhet t’i përkrahni gjeneratat e reja, klubet sepse në të ardhmen premtoni shumë. Federata e Futbollit e Gjermanisë si në të kaluarën edhe në të ardhmen ju premton se do të jetë përkrah juve dhe ju premtojmë se do t’ju mbështesim deri në momentin kur ju do ta merrni veten. Ne në të ardhmen do të nënshkruajmë edhe një memorandum bashkëpunimi me Kosovën, prandaj e ardhmja e Kosovës është e sigurt”, ka thënë Milkoreit. Ndërkohë pranimin në UEFA të gjithë të pranishmëve dhe dashamirëve të futbollit ua kanë uruar edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, të cilët falënderuan kreun e FFK-së, Fadil Vokrri për punën e bërë dhe shprehën optimizmin e tyre se tashmë edhe sukseset e futbollit në arenën ndërkombëtare nuk do të mungojnë. Në fund për kreun e FFK-së një dhuratë modeste kishte përgatitur kreu i FSHF-së, Armando Duka, si dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.