vokrri-gazetaret1
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e ka vlerësuar historike ditën e sotme dhe anëtarësimin e Kosovës në UEFA. “Më në fund erdhi kjo ditë. Një drejtësi e vonuar, por rëndësi ka që tashmë jemi pjesë e UEFA-s. Edhe këtë herë prapë u munduan të na bllokojnë, por në fund ia dolëm. Edhe më herët e kam thënë se me nen apo pa nenin rreth Kombeve të Bashkuara ne do të jemi anëtar të UEFA-s dhe kjo u bë. Anëtarësimi erdhi në momentin më të duhur”, ka thënë Vokrri para gazetarëve kosovarë në Budapest. Ai e ka pranuar se ka pasur emocione të mëdha, si çdo shqiptar tjetër gjatë rrjedhës së Kongresit të UEFA-s. “Kanë qenë momente mjaft të vështira, duke pasur parasysh kahjen që i dhanë disa shtete që ne i konsiderojmë si mike, por ne prapë do t’i konsiderojmë të tilla, pa marrë parasysh se sot u përpoqën të na dëmtojnë. Pas mos miratimit të ndryshimeve statutore ne kemi pasur frikë se do të hiqet i gjithë procesi i votimit për ne, por atë frikë e kemi hequr pas konsultimeve me Zyrën ligjore. Përkundër që ka qenë një votim tepër i vështirë, duke mos harruar rastin e UNESCO-s, ne edhe në ato momente të votimit kemi bërë gjithçka që ka qenë në mundësitë tona dhe me përkrahjen e miqve tanë ia kemi arritur qëllimit për ta bërë ëndrrën realitet. Tash duhet të kthehemi dhe të mendojmë për Kongresin e FIFA-s. Gjithsesi, me anëtarësimin në UEFA na janë hapur dyert për në FIFA. Kjo është një fitore të të gjitha gjeneratave që punuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për futbollin e Kosovës dhe jam krenar që sot kam qenë përfaqësues i tyre”, ka shtuar Vokrri.