21 maj, 2022 – Skuadra e Vushtrrisë e ka kaluar pengesën e parë të barazhit në synimin e saj për t’u kthyer në elitë. Pasi nuk arriti që biletën për kthim në Superligë ta sigurojë nëpërmjet kampionatit të rregullt, Vushtrria, të shtunën e fitoi ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë kundër Lirisë së Prizrenit, duke fituar një mundësi tjetër që kthimin në shoqërinë elitare ta kërkojë përmes ndeshjes së barazhit me skuadrën që do ta mbyll kampionatin në Superligë në pozitën e tetë. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Vushtrria fitoi pas penalltive, 5:3, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll 1:1. Edhe golat gjatë kohës së rregullt u shënuan nga pika e bardhë. Të parë në epërsi kaluan prizrenasit, kur Liridon Fetahaj shënoi nga 11-metërshi në minutën e pestë të kohës shtesë të pjesës së parë. Megjithatë, shifrat i barazoi kapiteni i vushtrriasve Liridon Osmani, po ashtu nga penalltia, në minutën e 53-të. Ndërkaq, në serinë e penalltive vushtrriasit ishin më efikas, teksa te Liria dështoi Viktor Kuka, i cili gjuajti mbi portë. Emrin e kundërshtarit të ndeshjes së 28 majit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, skuadra e Vushtrrisë do ta mësojë nesër, kur zhvillohen ndeshjet e javës së fundit në BKT Superligë.