10 nëntor, 2016 – Donis Avdijaj është futbollisti i radhës që iu ka bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Avdijaj ka udhëtuar në Antalya dhe tashmë është së bashku me pjesën tjetër të Përfaqësueses. Megjithatë, Donisi nuk e ka kompletuar ende dokumentacionin e nevojshëm dhe si rrjedhojë nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Albert Bunjaki për ndeshjen e së shtunës kundër Turqisë. Sidoqoftë, ardhja e tij është një sinjal i mirë për të ardhmen e Përfaqësueses, pasi bëhet fjalë për një futbollist të talentuar dhe cilësor. Ai edicionin e kaluar luajti në skuadrën austriake, Sturm Graz, si i huazuar, derisa është nën kontratë me skuadrën gjermane, Schalke. Avdijaj pritet të ketë të drejtë paraqitje për Kosovën duke filluar nga ndeshjet e marsit.