27 maj, 2024 – KFF 16 Qershori nga Malisheva është anëtarja më e re e Sigal Superligës. Kjo skuadër, e cila edicionin e mbylli në pozitën e dytë në Ligën e Parë arriti ta fitojë ndeshjen e barazhit ndaj skuadrës së Presingut, që e mbylli kampionatin në pozitën e parafundit në Superligë. Pas një ndeshje mjaft interesante, e cila u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, 16 Qershori fitoi me shifrat 2:0. Të dy golat futbollistet malishevase i shënuan në fund të ndeshjes. Fillimisht rezultatin e zhbllokoi Edonisa Vrenezi, në minutën e 78-të, derisa fitoren e vulosi Elona Bytyqi, në minutën e 89-të. Kësisoj, në edicionin e ri, Sigal Superliga do të ketë dy emra të rinj, pasi përveç 16 Qershorit, më herët inkuadrimin e ka siguruar edhe Ulpiana 1992 si kampione e Ligës së Parë, derisa nga Superliga bien Bazeli 2015 dhe Presingu.