5 mars, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 19-të në Vala Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, ka shënuar fitore të vështirë në Gjilan, duke e mposhtur Dritën, me rezultat të ngushtë, 1:0. Të dyja skuadrat në këtë ndeshje patën një paraqitje të mirë dhe me raste të shumta, por rrugën e golit e gjetën mysafirët në minutën e 89-të, kur Mark Milicaj realizoi me gjuajtje nga distanca, pasi iu shmang mbrojtësve gjilanas. Me këtë fitore Feronikeli barazon kuotën e pikëve me Prishtinën dhe Llapin, që po ashtu kanë nga 39 pikë. Ndërkohë, edhe në ndeshjen tjetër fitores iu gëzuan mysafirët, pasi në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, Besa e mposhti Lirinë, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Leart Emini me gjuajtje me kokë pas harkimit të Xhevdet Shabanit nga këndorja në minutën e 48-të. Besa tani ka 31 pikë në pozitën e 5-të, derisa Liria mbetet në pozitën e 7-të, me 23 pikë.