24 mars, 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018 kundër Islandës, që u zhvillua sonte në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, me rezultat 1:2. Kosova e nisi mjaft mirë ndeshjen, madje edhe e qëlloi traversën e mysafirëve me gjuajtjen e Valon Berishës, por islandezët arritën të na ndëshkojnë në dy raste kur u krijuan hapësira në mbrojtjen tonë. Ishte Sigurdarson ai që shënoi me lehtësi nga afërsia në minutën e 25-të, pasi paraprakisht Kryeziu dhe Përdedaj u ngatërruan ndërmjet veti. Epërsinë në 2:0 mysafirët e shtuan në minutën e 35-të nga pika e bardhë nëpërmjet Gulfy Sigurtson, pasi më parë Benjamin Kololli shkaktoi penallti. Kosovës iu mohua edhe një penallti, pasi mysafirët luajtën me dorë brenda zonës. Gjithsesi Shpresat e Kosovës i ktheu Atdhe Nuhiu me golin e shënuar me gjuajtje me kokë në minutën e 52-të pas harkimit të Herolind Shalës. Megjithatë, më pas me gjithë presionin e vazhdueshëm që Kosova bëri drejt portës mysafire nuk arriti të gjejë edhe golin e barazimit, ndonëse në bazë të lojës së shfaqur e meritonte një gjë të tillë. Do theksuar se edhe kësaj radhe Përfaqësuesja e Kosovës pati përkrahje maksimale nga tifozët e saj “Dardanët”, por me gjithë dëshirën dhe vullnetin e madh nuk arriti t’i gëzojë me rezultat pozitiv. Sidoqoftë “Dardanët” i qëndruan përkrah djelmoshave duke i duartrokitur për lojën e treguar.