Tiranë, 11 prill, 2017 – Mbase dëshira e madhe për fitore i dogji vashat e Kosovës, të cilat pësuan humbje me rezultat 1:3 kundër Maltës, në ndeshjen e fundit të paraeliminatoreve për Botërorin “Francë 2019”. Sikur vajzat e Kombëtares A të luanin ashtu siç luajtën në 20-të minutat e fundit të ndeshjes, kur mbizotëruan plotësisht ndaj Maltës, duke e ngujuar brenda 16-metërshit, kur edhe Blerta Shala në minutën e 80-të shënoi gol të bukur duke zvogëluar rezultatin në 3:1, pa dyshim se fundi i ndeshjes do të kishte shifra të kundërta në të mirë të Kosovës. Ekipi kombëtar i Kosovës, pranoi tre gola në pjesën e parë pas gabimeve fillestare të vet mbrojtjes dhe sulmi ishte i pafuqishëm të kthejë rezultatin, jo vetëm në pjesën e parë, por as në fillim të pjesës së dytë. Fillimisht në minutën e 12-të shënoi Cuschieri, ndërsa në minutën e 27-të Flask dyfishoi epërsinë e Maltës, për ta përmbyllur serinë e golave në minutën e 38-të në 3:0 Theuma, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në fillim të pjesës së dytë sërish kemi një ofanzivë të maltezeve, por nga minuat e 70-të Kombëtarja e Kosovës, merr veten, zgjohet dhe ringjallet për të nisur sulmet e pareshtura drejt portës rivale. Ky ngulm në sulme solli edhe golin e Blerta Shalës në minutën e 80-të dhe mbrojtja e Maltës ishte vënë në panik, por deri në fund me gjithë mbizotërimin e plotë nuk u arrit të ndryshojnë rezultatin prej 1:3 dhe u mbyll ndeshja. Si do që të jetë pavarësisht se Kosova në këto parakualifikime nuk shkon tutje, me gjithë mungesat dhe pengesat e natyrave të ndryshme që tashmë opinioni i ka të qarta, Shtabi teknik dhe vashat kanë dalë të fituara në përvojë dhe tash synimet do të jenë të qarta për të ndërtuar një ekip kombëtar për lakmi në të ardhmen.
Kosova – Malta 1:3 (0:3)
Stadiumi: “ Selman Stërmasi “- Tiranë
Shikues: Disa qindra
Gjyqtare: A. Rayner S. Massey, F. Borova dhe E. Rusta.
Shënuese: Cuschieri (12), Flask(27), Theuma(38) për Mal. Dhe B. Shala (80) për Kosovën.
Kosova: Kolgeci (Kryeziu, Bajra (B.Musa), Lushtaku, F. Kastrati, Shala, Limani, Kryeziu, Durguti, Rexha dhe Biçkaj.
Malta: Xuereb, Zahra, Said, Farrugia, Theuma, Carabot(Parnis), Cuschieri (E. Xuerbi), Shh.Zammit, Flask, (Borg) Ch. Zamit dhe Sultana.
Deklaruan pas ndeshjes
Afërditë Fazliu, përzgjedhëse
Shikuar realisht këtë ndeshje nuk do të duhej ta humbasim. Pavarësisht fondit të lojtareve, jemi përgatitur gjatë dy ditëve të shkuara për këtë ndeshje. Po ashtu ne kemi përcjellë aq sa ka qenë e mundur ekipin e Maltës dhe ato nuk e kanë cilësinë e Shqipërisë as të Greqisë. Golat i pranuam në mënyrë naive dhe kishte një çakordim të ekipit. Në pushim u munduam që t’i sqarojmë gabimet dhe lëshimet si dhe t’i motivojmë futbollistet dhe mendoj se pjesa e dytë ishte ndryshe, por nuk arritëm më shumë. Ekipi i Maltës në pjesën e dytë më shumë e zhagiti lojën se sa që luajti, por rezultati ishte në favorin e tyre dhe kjo ishte e kuptueshme. Neve na mbetet të punojmë shumë dhe të konsolidojmë radhët në të ardhmen.
Blertë Shala, shënuesja e golit
Ishe një ndeshje e fortë gjithsesi, por në pjesën e parë bëmë shumë gabime. Në pjesën e dytë arritëm të marrim veten, luajtëm më mirë, bashkëvepruam më mirë dhe arritëm një gol. Jam e lumtur natyrisht që shënova. Për secilën futbolliste është kënaqësi kur shënon dhe ashtu për mua, por mbi të gjitha kisha dëshirë që ekipi të fitonte.
Gentiana Lushtaku, futbolliste
Pa dyshim se ndeshja nuk ishte e lehtë, ani pse Malta nuk ishte në nivelin e Shqipërisë dhe Greqisë, por na dënuan gabimet tona. Ne u orvatëm të përmirësojmë lojën në pjesën e dytë, gjë që edhe ja arritëm, por kjo nuk mjaftoi deri në fund. Mirë që Blerta arriti shënojë një gol. Ne do të përmirësohemi si ekip në vijim, natyrisht kur edhe do të jemi komplet.
E veçanta
Ashtu siç paralajmëruam dje, sot vajzat e Klubit të futbollit femrat “Kosova “ e Prishtinës ishin në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’i dhënë përkrahje Kombëtares së Kosovës dhe gjatë gjithë ndeshjes me duartrokitje e brohorima i dhanë zemër vashave të Kombëtares A.