06 qershor, 2017 – Në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot, Kombëtarja A e Kosovës mbajti seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, që do të zhvillohet në Shkodër më 11 qershor. Në këtë stërvitje që ishte kryesisht si një test për të parë gjendjen e futbollistëve dhe regjenerimin e atyre që gjatë fundjavës kanë pasur lojë. Stërvitjet i ndoqën nga afër edhe krerët e FFK-së, presidenti Fadil Vokrri, zëvendëspresidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.

Albert Bunjaku, përzgjedhës
Sot ishte më tepër një test për të parë gjendjen e futbollistëve, sepse disa prej tyre kanë qenë në pushim kohën e fundit si dhe një regjenerim i atyre që kanë pasur ndeshje gjatë fundjavës. Kemi disa mungesa si dhe lëndime siç është lëndimi i Samir Ujkanit, i cili për momentin është në rikuperim e sipër dhe besoj se në ditët në vijim do të jetë gati. Po ashtu edhe Valon Berisha ka një lëndim të lehtë por besoj se nuk do të jetë problem. Po ashtu mungojnë për shkak të lëndimeve edhe Bunjamin Kollolli, Elbasan Rashani dhe Leart Paçarada, por ne do të përgatitemi maksimalisht me futbollistët që janë në dispozicion.
Anel Rashkaj, futbollist
Jam i kënaqur që jam rikthyer në Kombëtare. Gjithmonë është nder të luash për vendin tënd. Do ta japim maksimumin në këtë ndeshje. Nuk do të jetë aspak e lehtë por nuk do të dorëzohemi.